Dhjetra familje të lagjeve Allaj e Barruku në fshatin Rripë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, janë pa rrugë automobilistike. Banorët e këtyre lagjeve shprehen se prej 28 vitesh presin që tju hapet rruga e cila para viteve 90-të ka funksionuar për mjetet bujqësore.
Sipas tyre, pas 90-tës, as mjetet bujqësore nuk mund të shkojnë tek tokat e tyre. Në këto kushte ata kanë kërkuar vazhdimisht që problemi të zgjidhej nga pushteti vendor, madje ata kanë kërkuar edhe ndihmën e prefektit të Qarkut Dibër.
Për shkak të mungesës së rrugës, banorët shprehen se vazhdojnë ta punojnë tokën me krah dhe kafshë pune. Një tjetër problem sipas tyre është edhe transportimi i të sëmurëve në spital, apo fëmijëve kur shkojnë në shkollë.
Banorët e lagjeve Allaj e Barruku kërkojnë edhe njëherë ndërhyrjen e instancave lokale e qëndrore për ta zgjidhur këtë problem të mbartur prej 28 vitesh.