Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor numër 17 në Klos vijon punën normalisht për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për zgjedhjet e 25 Prillit. KZAZ 17 në Bashkinë e Klosit përbëhet nga Gani Lili kryetar forca politike PD, Spartak Vokri zëvendëskryetar forca politike PS, Flamur Mira sekretar, forca politike PS dhe anëtarët Veri Kuka PD, Çlirim Krosi PD, Roland Celami LSI, Edmond Demiri PS dhe Blerina Pllumbi PS.
Edhe në këtë KZAZ kanë mbërritur materialet e para që do të përdoren ditën e votimeve të 25 Prillit.
Në ambjentet e Vendit të Numërimit të Votave, ka nisur përgatitja e infrastrukturës, ndërsa për 27 Qendrat e Votimit që ka kjo bashki, kanë mbërritur edhe kamerat që do të regjistrojnë gjithë procesin e ditës së votimeve.
Komisionet e Qendrave të Votimit janë plotësuar me komisioner, ndërsa partitë politike dhe koalicionet garuese në këto zgjedhje kanë bërë propozimet e tyre për grupet e numërimit.
Ashtu si në KZAZ 16 në Mat edhe në Klos do të ketë një grup më pak se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017.