Kjo është godina e ndërtuar një vit më parë e cila do të funksiononte si treg i produkteve bujqësore dhe blegtorale për të gjithë Bulqizën.

Objekti ka nisur ndërtimin në dhjetor të vitit 2022 dhe ka përfunduar në fillim të vitit 2023, por tashmë që po bëhet një vit nga ndërtimi i tij, tregu bujqësor e blegtoralnuk është vënë ende në funksion.

Sipas të dhënave në Open Data Albania, ndërtesa e këtij tregu i ka kushtuar taksapaguesve 23.7 milion lekë të rinj, ndërsa edhe pas afro një viti nga përfundimi i punimeve qëndron i mbyllur.

Ndërtimi i këtij objekti në lagjen “Minatori” të qytetit të Bulqizës do të krijonte kushte që të gjithë banorët që tregtojnë produkte bujqësore e blegtorale në brendësi të qytetit të zhvendoseshin këtu, ku do të kishin kushte më të mira higjenosanitare.

Jashtë kameras, qytetarë që jetojnë përrreth këtij tregu thanë se deri para pak kohësh porta e rrethimit të këtij tregu të painaguruar qëndronte e hapur, por për shkak se oborri filloi të shfrytëzohej në mënyrë abuzive për parkim automjetesh, ajo tashmë qëndron e mbyllur nga autoritetet vendore.