KURBIN / FSHATI FERRË SHKOPET, PA RRUGË E UJË. BANORËT: MË MIRË TË KISHIM QENË ME BASHKINË MAT

0
9

  Fshati Ferrë Shkopet, në Njësinë Administrative Milot, të Bashkisë Kurbin, është një fshat me 100 halle e probleme që i thonë vetë banorët e mbetur aty. Ky fshat ndodhet vetëm 2 kilometra nga rruga e Kombit. Fshati vuan mungesën e infrastrukturës rrugore. Rruga kryesore e këtij fshati, rreth 1 kilometër deri në qendër, është totalisht e amortizuar. Ato pak ndërhyrje që janë bërë për riparime të këtij aksi, janë bërë nga “xhepi” i vetë banorëve. Ndonëse kjo rrugë është premtuar nga të zgjedhurit e pushtetit vendor, banorët thonë se ato vetëm një herë në 2 vite shihen në këtë fshat, aq sa për të na mashtruar me votat.

Përveç mungesës së infrastrukturës rrugore, në Ferrë Shkopet mungon edhe uji i pijshëm e ai vaditës.

Gjithashtu, edhe shërbimi shëndetësor ka probleme. Banorët, por edhe pamjet flasin se godina e Ambulancës së fshatit nuk hapet përveçse për të afishuar fletët e votimit në kohë fushatash.

   Fshati Ferrë Shkopet, në Njësinë Administrative Milot, të Bashkisë Kurbin, dikur ka pasur rreth 300 banorë, e tashmë kanë mbetur vetëm 30, pasi të tjerët e kanë braktisur. Ferrë Shkopeti para viteve ’90 ka qenë pjesë e territorit të rrethit të Matit. Madje jashtë kameras, banorë të Ferrë Shkopetit e ëndërrojnë të jenë përsëri nën administrimin e Bashkisë Mat, pasi sipas tyre, do të kishin marrë shërbime dhe investime më të shumta sikur të ishin pjesë e Matit.