Shqipëria triumfon ndaj San Marinos, Maran kërkon më shumë nga loja
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar me sukses transfertën ndaj San Marinos, duke triumfuar 3-0 dhe duke siguruar tri pikët e dyta në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë ruajnë kështu vendin e parë në Grupin 1 të Ligës C me 6 pikë. Pas ndeshjes, trajneri Rolando Maran analizoi paraqitjen e skuadrës, duke pranuar se pavarësisht kënaqësisë për rezultatin, Shqipëria mund të kishte bërë më shumë në aspektin e lojës. Italiani u ndal edhe te vështirësitë që mund të sjellin ndeshje të tilla, duke sjellë në vëmendje edhe përballjen e Finlandës me San Marinon.
“Mendoj se ka qenë një mënyrë për të kursyer edhe forcat. Janë katër ndeshje njëra pas tjetrës. Jam i lumtur për rezultatin, por mund të kishim bërë më tepër për paraqitjen. Kemi pasur posedimin e topit, mund të ishim futur më mirë në pjesën e dytë dhe të kishim raste më tepër. Në total jam i lumtur”, u shpreh Maran.
Ai shtoi: “Janë disa ndeshje ku në fakt janë edhe emocionet e një debutimi të tillë. Ndeshje të vështira, e kanë menaxhuar mjaftueshëm mirë. Nuk ka kundërshtar të thjeshtë në raste të tilla. Edhe Finlanda pati vështirësi në centimetrat e fundit ndaj San Marinos.
Jemi ruajtur pak, për shembull Kristjan Asllani kishte një karton. Pas pjesës së parë u zëvendësua edhe Gjimshiti. Është çështje e menaxhimit të skuadrës”, përfundoi trajneri i Kombëtares.