Ky është 70-vjeçari Agim Ismaili nga fshati Rabdisht i Dibrës. Ai e ka të lidhur jetën me bujqësinë, pasi kultivon kultura të ndryshme, por përqendrimin e ka në kultivimin e patates. Agimi tregon se çdo vit kultivon patate për tregti, por që përballet me mungesë të tregut e çmim të ulët. 70-vjeçari shprehet se janë rritur të gjitha kostot në bujqësi, që nga punimi i tokës, farërat e proceset e tjera. Në këto kushte, Agim Ismaili thotë se gati nuk ja vlen të merresh me të, megjithëse prodhon deri në 8 ton patate çdo vit.

  Veç patates Agim Ismaili thotë se ka kultivuar edhe qershi, por që prodhimi çdo vit i kalbet pasi nuk gjen treg shitje, për shkak se hyn prodhimi i Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, fermeri Agim Ismaili kërkon mbështetjen e institucioneve shtetërore qoftë në përballimin e kostos së shpenzimeve, e qoftë në minifabrikë për prodhimin e lëngut të qershisë.