Nëse keni një njeri të shtruar në një nga pavionet e spitalit “Xhavit Mara” dhe doni ta vizitoni mos shkoni me makinë pasi do të paguani parkimin e mjetit, qoftë edhe për 5 minuta kohë.

Vendsja e pagesës së parkimit të automjeteve brenda hapsirës së spitalit nuk përbën ndonjë çudi, por problemi qëndron në informimin e qytetarëve për këtë shërbim që duhet të paguajnë.

Para se të futesh në portën e spitalit ku janë pavionet, nuk ke asnjë tabelë informuese për tarifën që duhet të paguash. Vetëm një letër është ngjitur përreth traut, të cilën vështira ta vësh re.

Burime pranë spitalit, orari i pagesës së parkimit është vendosur nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 13:00. Por as për këtë nuk ka një njoftim të shpallur dukshëm për qytetarët.

E kontaktuar nga Mat Tv, Drejtoresha e Shërbimit Spitalor, Alma Frangu, tha se shërbimi me pagesë i parkimit është me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. E pyetur se përse nuk ka njoftime të dukshme për qytetarët, Frangu u shpreh se kjo do të realizohet në ditët në vazhdim. Gjithsesi, siç duket, deri sa të vendosen tabelat informuese, shumë qytetarë do të biejnë në grackën e pagesës së detyrueshme të parkimit.