Pas kontrollit të të gjitha veprave të artit në rrugët nacionale, shumë prej tyre kanë nevojë për ndërhyrje emergjente ose prishje totale. Një nga 27 urat, të cilat do të ndërtohen nga fillimi në vendin tonë, është edhe ajo e quajtur “Ura e Karicës”, pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, nëpërmjet Sektorit të Mirëmbajtjes, ka vendosur kufizim të peshës dhe lëvizjes së automjeteve mbi këtë urë. Të kontaktuar nga “Mat Televizion” drejtues të Sektorit të Mirëmbajtjes pranë ARRSH, thanë se pas kontrollit të ushtruar nga ekspertët, është vënë re paqëndrueshmëri e urës, ç’ka vë në rrezik përdoruesit e saj, kryesisht ato të tonazhit të rëndë.
Nisur nga kjo është bërë e mundur që nëpërmjet blloqeve të betonit të ngushtohet hyrja në urë, dhe të vendoset sinjalistikë informuese për drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë në Skuraj dhe tek Ura e Matit.
Sinjalistika ndalon mjetet e tonazhit të rëndë të futen në urë pasi ajo rrezikon shembjen. Aksi i sugjeruar për kalimin e këtyre mjeteve është ai Shoshaj – Rrëshen.
Ndërkohë, me gjithë paralajmërimin, duket se në këtë urë kalojnë mjete të tonazhit të rëndë pasi elementët prej betoni janë larguar dhe është krijuar hapsira e nevojshme për kalimin e këtyre lloji automjetesh. Autoritetet pritet ta hetojnë rastin në fjalë dhe të marrin masa për penalitete sipas ligjeve në fuqi.