Ku ka lulëkuqe ka dhe grurë, por jo vetëm
Muaji maj sjell ngjyrat më të bukura të natyrës, ku lulëzimi i bimëve dhe pemëve paralajmëron sezonin e prodhimit bujqësor. Por në fushat e luginës së Matit, përveç gjelbërimit të grurit, bie në sy edhe një tjetër pamje karakteristike: lulëkuqet e kuqe që kanë mbuluar parcelat bujqësore. Prej vitesh, në zonat ku kultivohet gruri, prania e lulëkuqes është bërë pothuajse e pandashme nga kulturat bujqësore. Fushat kanë marrë një ngjyrë të kuqe të dukshme, duke krijuar një kontrast të fortë mes bukurisë natyrore dhe shqetësimit që kjo bimë po shkakton për fermerët. Specialistët e bujqësisë shprehen se vitet e fundit lulëkuqja është masivizuar ndjeshëm, kryesisht për shkak të mungesës së trajtimeve në kohën e duhur. Sipas tyre, kjo bimë shumëzohet me shpejtësi dhe nëse parcelat nuk trajtohen, ajo mbin sërish edhe në sezonet pasardhëse. Ekspertët paralajmërojnë se prania e madhe e lulëkuqes ndikon drejtpërdrejt në uljen e rendimentit të grurit. Ajo pengon depërtimin e dritës së diellit tek kultura bujqësore dhe njëkohësisht konsumon lëndët ushqyese të tokës, duke dobësuar zhvillimin normal të bimës së grurit. Fenomeni nuk kufizohet vetëm në parcelat e mbjella me grurë. Në shumë zona të luginës së Matit, lulëkuqja është përhapur edhe në toka të pambjella apo në parcela të tjera bujqësore, duke u kthyer në një problem gjithnjë e më shqetësues për fermerët e zonës, të cilët kërkojnë më shumë mbështetje dhe këshillim për trajtimin e saj.