BASHKIA MAT
KRYETARI
Deklaratë e Bashkisë Mat në lidhje me ngjarjen e datës 19.06.2019, në ambjentet e Pallatit të Sportit “Ferit Hysa”, Burrel
Të nderuar qytetarë të Bashkisë Mat!
Në radhë të parë, Bashkia Mat ju uron shërim të shpejtë të lenduarëve të protestës së datës 19.06.2019 para pallatit të Sportit “Ferit Hysa” Burrel dhe dënon dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve Matjanë.
Së dyti: Bashkia Mat e ndjen detyrim transparencën ndaj qytetarëve matjanë për atë çfarë ka ndodhur me KZAZ-në nr. 16 dhe ju bejmë me dije për sa më poshtë:
- Bashkia Mat në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës nr.10928 , dt. 05.11.2018 ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen Vendore” Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe shkresës KQZ nr.160 prot, dt.23.01.2019 ku kërkon vënien në dispozicion të ambientit ku do të vendoset selia e KZAZ. Bashkia Mat me shkresën e saj nr.203/1 prot, dt.28.01.2019 njofton KQZ se i vendos në dispozicion për seli të KZAZ nr.16 ambientet e Pallatit të Sportit “Ferit Hysa”, Burrel.
- Me botimin në fletoren zyrtare të Republikës Shqipërisë të dekretit të Presidentit të Republikës nr.11199 dt.10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës 10928 dt.05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e Qeverisjes Vendore” Bashkia Mat me shkresën nr.1599 prot dt.14.06.2019 i kërkon KZAZ nr.16 lirimin e ambienteve të Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” duke qenë se nuk ka një datë për zgjedhjet. Kjo shkresë i është dërguar edhe KQZ-së dhe institucioneve të tjera qëndrore. Duke qenë se nuk morëm asnjë përgjigje me shkrim, Bashkia Mat iu drejtua përsëri KZAZ-së nr.16 me shkresën nr.1623 prot, dt.18.06.2019 por edhe me kontakt direkt nga drejtuesit e Policisë Bashkiake dhe sektorit Juridik ku i kërkohej lirimi i ambienteve deri në ora 09:00 dt.19.06.2019. Me këtë shkresë është njohur edhe Policia e Shtetit. Më datë 19.06.2019 ora 10:30, Policia Bashkiake është paraqitur pranë KZAZ-së nr.16 për lirimin e ambienteve. Theksojmë se ne deri tani, pas botimit të dekretit të Presidentit nr.11199 dt.10.06.2019, nuk jemi në dijeni të një akti ligjor (dekret, ligj, akt normative të KQZ-së) i botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë që të përcaktojë një datë zgjedhjesh. Bashkia Mat nuk është organ vartës i KQZ-së, por organ i pavarur që ka detyrimin ligjor të zbatojë aktet normative të KQZ-së. Aktet normative të KQZ-së janë vendimet dhe udhëzimet që duhet të botohen në Fletoren Zyrtare. Në momentin që KQZ, pas dekretit të Presidentit të Republikës nr.11199 dt.10.06.2019 do të nxjerrë një akt normativ të botuar në Fletoren Zyrtare që njeh datën 30.06.2019 si datë zgjedhjesh për organet e Qeverisjes Vendore, Bashkia Mat do të kryejë të gjitha detyrimet e saj ligjore për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve (Bashkia nuk ka tagrin të bëjë interpretimet e akteve ligjore apo të kompetencës ligjore).
- Theksojmë se pas ngjarjeve të djeshme, Forcat Speciale të policisë kanë gati 24 orë që po ushtrojnë terror në gjithë territorin e Bashkisë Mat, me shoqërimet e qytetarëve, kontrolle në banesa, kontrolle në rrugë etj.
- Ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm që të tërheqë Forcat Speciale të policisë nga Mati dhe mos të ushtrojë presion tek qytetarët sepse ju prek “sedra” kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm nga këta qytetarë që protestonin në mbrojtje të Kushtetutës, Demokracisë dhe Lirisë të të Drejtave Themelore të Njeriut siç është e drejta për të zgjedhur. Theksojmë se Bashkia Mat në punën e saj dhe në vazhdim do të udhëhiqet nga ligji dhe interesi i qytetarëve.