Kryeministri Edi Rama fton inxhinieren Luljeta Bozo që të kandidojë për deputete nën siglën e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit. Ftesën tashmë inxhinierja e ka marrë dhe nuk dihet nëse e ka pranuar propozimin e Ramës për kandidim në zgjedhjet parlamentare.
Ftesa pritet të bëhet edhe publikisht sot nga kryeministri për inxhinieren në prezantimin e programit të Rindërtimit.
Ftesa ndaj inxhinieres së njohur vjen një ditë pasi Rama zbuloi se mjekja Najada Çomo, shefja e Spitalit Infektiv, do të kandidojë për deputete e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
Kreu i qeverisë tha se ka marrë konfirmimin e mjekes së njohur në vijën e parë të betejës me COVID-in.
Në fjalën e tij, në aktivitetin e organizuar “Rruga drejt 25 prillit – Shëndetësia që duam”, Kryeministri Rama tha se “në mënyrë spontane nxora një sekret të vogël që nuk ishte i presupozuar të dilte sot, pasi ne me shumë kënaqësi morëm aprovimin tënd. Të jap fjalën që ne nuk duam që ti të bëhesh si ne, ne duam të bëhemi si ty e për këtë na ndihmon prania jote”.