Gjatë takimeve të zhvilluara me banorët e Qarkut Dibër, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, ka komentuar edhe situatën aktuale në të cilën gjendet vendi. Në një intervistë për Mat Tv, Kryemadhi hodhi poshtë dyshimet se të futurit e fundit në Parlament nga radhët e LSI dhe PD janë me miratimin e partisë. Për këtë ajo u shpreh se nuk mund të dilet mbi vendimin unanim të instancës më të lartë të partisë.
Për dyshimet nëse e gjithë kjo është një lojë mes PS dhe PD për të nxjerrë nga politika LSI, Kryetarja e kësaj të fundit Monika Kryemadhi tha se, çdo bashkëpuntor i Edi Ramës ka shpallur falimentin e tij, ndërsa u shpreh se tashmë bashkëpunimi PD LSI nuk është çështje politike por ndërgjegje kombëtare, thirrje kombëtare për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë periudhën e tranzicionit i cili ka zgjatur plot 30 vite.
“Sot është detyrë kombëtare, përgjegjësi e politikës dhe gjithë shoqërisë shqiptare për të mbyllur njëherë e mirë tranziocionin politik dhe ekonomik të shqiptarëve. Për të hapur një etapë të re, etapën e zhvillimit, integritetit dhe krijimin e një shteti vërtetë të fortë” – tha Kryemadhi.