Në zbatim të vendimeve të marra nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, Bashkia e Matit ka vijuar punën me dezinfektimin e të gjitha institucioneve publike dhe hapsirave të përbashkëta në qytetin e Burrelit. Por qytetarët kanë vënë re rritje të produkteve bazike në dyqanet me pakicë e shumicë.
Për këtë Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj paralajmëroi kontrolle dhe ndëshkim të rreptë të të gjithë atyre subjekteve që abuzojnë në këto ditë me çmimet e produkteve që tregojnë në të gjithë territorin e Bashkisë Mat. Malaj tha se masat do të shkojnë deri në bllokim total të aktivitetit. Sipas tij, për këtë problem është krijuar një taskforcë bashkë me institucionet e tjera qendore në nivel vendor.
Ndërkohë vihet re sërisht dyndje e qytetarëve në qytetin e Burrelit duke mos zbatuar një nga udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë për shmangien e lëvizjeve të panevojshme dhe mosqëndrimin në shtëpi.