Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj priti në një vizitë zyrtare Ambasadorin e Sllovakisë në vendin tonë Peter Shpeciak, në kuadër edhe të një bashkëpunimi mes bashkisë dhe ambasadës që ka konsistuar në ndërtimin e një terreni sportiv. Kryebashkiaku Agron Malaj e njohu ambasadorin sllovak me resurset e mëdha që ka treva e Matit qoftë në aspektin historik por edhe turistik. Malaj e falenderoi Ambasadorin për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e ambjentit multifunksional sportiv pranë gjimnazit “28 Nëntori” të qytetit të Burrelit.
Ambasadori Peter Shpeciak me formim historian tha se e njeh shumë historinë e Shqipërisë, por edhe të Matit. Ai u shpreh se Mbretëresha Geraldinë origjinën e largët të saj e ka nga Sllovakia dhe kjo është e dokumentuar atje në një muze. Duke folur për bashkëpunimin institucional, Shpeciak tha se mbështetja në projekte të tilla do të vijojë edhe në të ardhmen.
“Ky është projekti i parë që po realizojmë në qytetin e Burrelit. por në kuadrin e këtyre projekteve të vogëla kemi realizuar disa të tillë në të gjithë shqipërinë. Ambicjet tona nuk janë që projektet të zhvillohen vetëm në tiranë por në të gjithë vendin. Këto grantet e vogëla kanë patur forma të ndryshme zbatimi por parësore për neve kanë qenë investime të tilla si ky në Burrel në fusha multifunksionale. Sepse rinia është e ardhmja si në Sllovaki ashtu edhe në Shqipëri. Ju keni një natyrë shumë të bukur të rrethuar nga malet e gjelbra, por rinia ka nevojë për më shumë, pra të merret me sporte”.
Më pas kryebashkiaku Malaj dhe Ambasadori Shpeciak udhëtuan në këmbë për të gjimnazi “28 Nëntori”, ku dhe panë nga afër investimin e bërë në terrenin sportiv multifunksional. Ata zbuluan pllakadën e këtij investimi që do t’i shërbejë qindra nxënësve të këtij gjimnazi për të zhvilluar në kushte shumë të mira orët e mësimit në fushën e sportit. Ndërkohë Kryebashkiaku Malaj e Ambasadori Shpeicak morën falenderimet e stafit pedagogjik dhe nxënësve për këtë investim.