Sektori minerar në vendin tonë prej 10 muajsh është në krizë. Rënia në mënyrë drastike e çmimit të kromit, ka bërë që kompanitë mineral nxjerrëse të përballen me vështirësi në të ardhura.

Në minierën e Bulqizës me dhjetëra galeri kanë punuar dhe kanë nxjerrë krom përgjatë gjithë kësaj kohe.

Por siç thonë ata kromi është pa shitur.

Kjo ka bërë që shumë prej tyre të dalin pa punë.

“E lash sepse kishte mosmarrëveshje, nuk paguanin. Në zyrën e punës mund të paraqitesh sa të duash, por nuk ka asnjë figuracion. Këtu nuk ka figuracion”, tregon një qytetar.

Drejtoresha e Zyrës së Punës në Bulqizë, Jetmira Doda tregon se sa persona janë regjistruar si punëkërkues në dy muajt e fundit..

“Deri në momentin që flasim kemi një numër punëkërkuesish përafërsisht të njëjtë, për të dy muajt. Ndërsa sa i përket largimeve nga puna nga sektori minerar, deri në momentin që flasim kemi 20 aplikime si punëkërkues të papunë për tu trajtuar me pagesë papunësie pranë zyrës së punës”, shprehet ajo.

Administratorët ankohen se po i paguajnë punëtorët me kredi.

Të tjerë thonë se kanë shkurtuar numrin e punëtorëve ose kanë ulur pagat.

Jashtë kamerës thonë se disa subjekte kanë paralajmëruar pezullimin e aktivitetit dhe nëse situata vijon të mbetet e tillë shumë shpejt do të shpallin falimentin.

Ndërkohë administratorët kanë grumbulluar kromin në Bulqizë dhe në portin e Durrësit.

Sipas tyre gjithçka lidhet me embargon që Evropa i ka vendosur Kinës pas pandemisë COVID-19.

Burimi abcnews.al