Kryetari i Partisë Socialiste për Bashkinë e Matit, Hasan Pasha ka lëshuar një tjetër apel për qytetarët që të marrin masat e nevojshme ndaj Covid-19. Në një status në rrjetin social Facebook, Pasha apelon gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes për veten, familjen dhe shoqërinë.
Ai apelon që të zbatohen të gjitha udhëzimet e instancave shëndetësore e shtetërore, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit në vendin tonë nga i cili deri tani janë shënuar 33 të infektuar.
Ja statusi i plotë!
Nuk është koha për panik, është koha të bëjmë kujdes për vete, familjen, fqinjët, të afërmit e bashkëqytetarët!
Rrethanat e sollën të jemi në një situatë jo normale. Nga Kina e largët u shfaq një virus vrastar. Nuk jemi ne kompedentë të themi u “shpik” apo është një virus gripal, por nga origjina dhe në dhjetra vende të globit njerëzit po luftojnë për ta parandaluar, luftuar dhe për të shpëtuar.
Edhe vendi ynë u përfshi ditët e fundit nga kjo flamë. Mos kujtoni se do të them ndonjë gjë të veçantë. Thjeshtë dhe vetëm dua t’u kujtoj atyre që më njohin dhe më besojnë, të bëjmë shumë kujdes, të vetmbrohemi sa të mundemi.
Kryesore është të qëndrojnë në shtëpi, pranë njerëzve më të dashur. Kjo masë jo vetëm na ndihmon të mos prekemi nga Covid 19, por na afron më shumë me familjarët tanë.
Këto radhë mund të lexohen nga afro 5 mijë miqtë e mi në fb dhe nuk mendoj se i besdis. Fundja kjo është një mënyrë komunikimi mes nesh. E kam të qartë se jo të gjithë më lexojnë. Jo të gjithë më japin të drejtë. Por, unë mendoj se bëj detyrën kur ulem dhe shkruaj diçka për të mirën e komunitetit.
Unë do t’u sugjeroja që të bëjmë maksimumin që prindërit tanë, ata në moshë më të madhe, t’i mbajmë në shtëpi. T’u plotësojmë kushtet më të domosdoshme. Kjo është një flamë që do të kalojë shpejt dhe kështu do t’i kemi përsëri në tryezë prindërit dhe gjyshërit e dashur.
Të rinjtë që nuk rrinë dot pa lokale, pa bashkëmoshatarët, pa “vëllezërit” që u tregojnë batuta pa fund do t’u thoja: Rrini disa ditë larg fizikisht që pastaj të jeni përsëri bashkë, të gëzuar, të lumtur, të hareshëm. Me siguri pas këtij izolimi të domosdoshëm ju do të tregoni më shumë anektoda, më shumë ndodhi, më shumë qyfyre.
Nga kjo dritare mediatike do t’u thoja bashkëqytetarëve që kanë ardhur dy javët e fundit nga Italia. Në se Ju jeni prekur nga virusi, nuk është faji Juaj. Nga Covid 19 janë prekur mbi 100 mijë banorë të globit. Ju keni për detyrë të vetëizoloheni. Në radhë të parë të mbroni familjarët tuaj nga ky virus. Së dyti nuk duhet të frekuentoni vende publike, pasi kështu mund të infektoni miqtë Tuaj. Së treti, në se keni probleme serioze, kërkoni ndihmë.
Nuk është normale të tregojmë trimëri, forcë, neglizhencë në këto momente dramatike. Autoritetet e larta e konsiderojnë situatën si luftë. Ndaj ne duhet të bindemi, të zbatojmë me korrektësi vendimet e qeverisë, rekomandimet e autoriteteve të shëndetësisë dhe ato të pushtetit vendor.
Së fundmi, shumë qytetarë ankohen se dy ditët e fundit ka një rritje të ndjeshme të çmimeve në treg. Kjo është e pafalshme, e pandershme, jo korrekte. Tregëtarë! Ju e dini se blerësit janë “mbretër”, janë ata që ju mbajnë në këmbë. Mos abuzoni në këto momente të vështira që të jeni përsëri solidarë!
Frikë JO. Kujdes PO! Së bashku do të fitojmë…