Deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku tha se kushdo që ka përdorur logot dhe simbolet e PD-së, do të ndiqet penalisht. Sipas tij, teserën e partisë nuk e prodhon dot shtypshkronja, e prodhon institucioni i partisë.

“Injorojnë institucionet e partisë dhe përgatit karta duke përdorur logo që mund të jetë edhe një objekt ndjekje penale apo emra njerëzish që thonë jo, unë s’kam firmosur, por dikush ka firmosur. Kjo e deligjitimon vullnetin e atyre njerëzve. Janë parë dokumente të partisë i të cilës Sekretari i Përgjithshëm  thotë nuk i kemi lëshuar ne. Kush përdor logon e partisë pa autorizimin e institucionit të partisë? Kjo e deligjitimon. Mund të jetë teorikisht objekt, është shkelje ligjore ajo. Është keqpërdorim. Teserën e partisë nuk e prodhon dot shtypshkronja, e prodhon institucioni i partisë dhe organizatorëve u mjaftonte vetëm kaq që firmat t’ia nënshtronte institucionit dhe ato mandate do të ishin të ligjshme.

Ai më tej tha se mandatet e delegatëve duhej të ishin lëshuar nga institucionet e partisë, pasi mandati ka vlerën e institucionit të partisë. Çollaku gjithashtu ka hedhur idenë se ish-kryeministri Sali Berisha ka ndërmend të krijojë një tjetër parti, paralel me atë Demokratike.

“Mandatet ishin të lëshuara nga zyrat e partisë. Sepse zyrat e partisë, Sekretari i Përgjithshëm ka detyrimin t’i lëshojë pasi depozitohen firmat. Nuk është çështje vullneti Sekretari i Përgjithshëm, është çështje detyrimi. Mandati ka vlerën e institucionit të partisë. Fakti që po ecet me qëllim në dy korsi paralele, kur ka çdo mundësi që këto dy të bashkohen dhe vendimmarrja të jetë legjitime, unë dyshoj se synimi nuk është as marrja e partisë, as zgjedhja në parti, por një. Ose uzurpimi me forcë i strukturave të partisë ose dy  që e besoj më shumë krijimi i një partie tjetër, e një strukture tjetër, alternativa në PD. Unë  mendoj që kjo rrugë atje po çon. Në të kundërtën të dy procedurat mund të bashkoheshin në një datë votohej me mandate të ligjshme dhe me vendimmarrje. Kjo është rruga për ndarje”- tha Çollaku.