Nga emisioni “Arnautistan” në MCN TV deputeti Kreshnik Çollaku e cilësoi situatën në PD si shumë kritike.
Sipas tij në PD ekziston frika e përçarjes dhe për këtë çështje që ai e quan të kateve lart do të paguajnë demokratët e thjeshtë. Çollaku po ashtu tregoi se pavarësisht trysnisë nga shumë demokratë nuk ka pasur asnjë dilemë për të mos marrë pjesë në Foltoren e Berishës në Dibër.
“Nuk pata asnjë dilemë për të mos marrë pjesë në Foltoren e Berishës në Dibër. Pas mbarimit të foltores pata më shumë trysni. Ka pasur miq që më kanë marrë dhe më kanë thënë pse s’erdhe tradhtar. Mendoj se situata brenda PD është shumë kritike dhe çdo prononcim mund të ndikojë në një përçarje të njerëzve sepse më pak merakosem se çfarë ndodh në katet lart. Ata të bazës, demokratët e thjeshtë mund të paguajnë çmimin e krizës në PD që është në katet e sipërme. Ata që shkojnë në Floltore shumë i njoh, janë njerëz të devotshëm, ka të tjerë që nuk i kam parë në fushatat tona. Nuk di të mas nëse janë shumë apo pak ata që shkojnë në Foltore. Ajo që vihet re është se ka një shumicë të heshtur sot në PD. Ekziston frika e përçarjes”, tha Çollaku.