KRAJKA, FSHATI QË PO DIGJET PËR NJË PIKË UJË
Rritja e temperaturave ka shtuar më shumë nevojën për vaditje në fshatra. Por mungesa e kanaleve vaditëse ka bërë që shumë prej kulturave bujqësore të thahen. Në fshatin Krajkë të Njësisë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë prej dy vitesh mungon uji vaditës. Banorët e mbetur aty thonë se janë të pafuqishëm për ta vënë në funksion kanalin vaditës, ndërsa nuk kanë gjetur mbështetjen e pushtetit vendor. Hysen Daka tregon se deri para dy vitesh kanë qenë vetë banorët që e vinin në punë kanalin vaditës, ndërsa tani e kanë të pamundur pasi rinisa është larguar dhe aty ka mbetur vetëm mosha e tretë. Hyseni shprehet se pushteti vendor në Bulqizë duhet t’i ndihmojë pasi prodhimet bujqësore po thahen për ujë. Hyseni tregon se para viteve 90-të i gjithë fshati kishte vaditje pasi jo vetëm funksiononin kanalet vaditëse sipër banesave por edhe kishte sistem me pompë nga zalli i Bulqizës. Banorët shprehen se nëse nuk do të kenë ujë vaditës edhe për pak ditë të gjitha kulturat bujqësore do të thahen e dëmi do të jetë shumë i madh.