RIAKTIVIZOHET VATRA E ZJARRIT NË QAFË HELMES TË BULQIZËS, EDHE NË BALLENJË PO LUFTOHET ME FLAKËT
Temperaturat e larta dhe era e fortë që ka përfshirë Qarkun e Dibrës këtë të mërkurë ka bërë që të riaktivizohet vatra e zjarrit në vendin e quajtur Qafë Helmes. Situata paraqitet shqetësuese, pasi zjarri po përparon dhe po afrohet në drejtim të fshatit Koçaj. Terreni i vështirë e bën thuajse të pamundur ndërhyrjen nga toka, ndërsa përballja me flakët kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga ajri. Banorët dhe autoritetet lokale bëjnë apel për ndërhyrje urgjente me mjete ajrore, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe rrezikimin e zonave të banuara. Po ashtu edhe në Ballenjë të Martaneshit vatra e zjarrit që kishte nisur nga ana e Librazhdit ka kaluar në territorin e Ballenjës. Në terren janë angazhuar 6 punonjës të ADZM Dibër të cilët po punojnë për mbajtjen nën kontroll të situatës. Më herët një zjarr u aktivizua në fshatin Dushaj të Bulqizës. Përhapja e shpejtë e flakëve rrezikoi djegien e varrezave, por ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur izolimin e zjarrit.