Situatë kritike në fshatin Sllatinë të Dibrës, zjarri përfshin masivin me pishë dhe dëllenjë

Situatë kritike në fshatin Sllatinë të Dibrës, zjarri përfshin masivin me pishë dhe dëllenjë

Situata e zjarreve në Dibër mbetet problematike kryesisht në bjeshkën e fshatit Sllatinë. Flakët kanë përpirë një zonë të dendur me pishë dhe dëllinjë, duke u bërë e papërballueshme. Të ndihmuar edhe nga era e fortë dhe temperaturat e larta operacioni për vënien nën kontroll të flakëve është shumë i vështirë megjithëse në terren ndodhen dhjetra forca që po operojnë në rrugë tokësore. Në terren po punojnë specialistët zjarrfikës të Bashkisë Dibër dhe shumë banorë në mënyrë vullnetare. Situata mbetet e njëjtë edhe në Qafë Helmes në afërsi të Selishtës dhe në Vajkal të Bulqizës. Në Vajkal të Bulqizës janë përqendruar gjithashtu forca të shumta. Operacioni mbështetet nga një helikopter dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, forcat pyjore dhe vullnetarët. Një helikopter është angazhuar prej dy ditësh për të mos lejuar zgjerimin e vatrës në Vajkal, duke shmangur rrezikun e banesave. Në Qafë të Helmës situata po monitorohet dhe nuk raportohet për zhvillime të reja apo rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Sllatinë janë angazhuar 78 forca nga MZSH-ja, shërbimi pyjor, ADZM-ja, bashkia dhe vullnetarët.