Kjo është fusha e lagjes Shkorsë në fshatin Suç të Bashkisë së Klosit. Në këtë lagje rezultojnë rreth 60 hektar tokë bujqësore që mund të kultivohet në kultura të ndryshme. Por një pjesë e vogël e kësaj sipërfaqeje punohet aktualisht e cila mbillet kryesisht grurë dhe tërshërë. Pjesën më të madhe të tokës bujqësore e kanë mbuluar ferrat e kjo jo pa arsye. Ndue Daçi thotë se shkak është bërë kostoja e lartë e proceseve të punimit e mbjelljes së tokës. Po ashtu, ai thotë se një tjetër faktor është edhe mungesa e ujit vaditës.
Për agronomin Refik Kuka, tashmë në pension, fusha e Shkorsës ka qenë një hambar prodhimi para viteve 90-të. Sipas tij, aty kishte prodhim të madh qoftë të grurit apo kulturave të tjera. Kuka thotë se Bashkia e Klosit duhet tju sigurojë vaditje banorëve në mënyrë që ata ta kultivojnë sërisht tokën.
Banorët e lagjes Shkorsë e shfrytëzojnë më së shumti tokën bujqësore për kullotë për bagëtinë.