Korrja e grurit, fermerët të pakënaqur me prodhimin
Fermerët të cilët kishin kultivuar grurë në luginën e Matit kanë nisur korrjen e tij. Por ata ankohen për rendimentin e ulët që kanë marrë këtë vit. Halit Allamani thotë se prodhimi i këtij viti është shumë i ulët. Një arsye mbetet cilësia e farës, por ka edhe arsye të tjera. Sipas tij, mungesa e kanaleve kul;luese të tokës ka bërë që fusha e Suçit të mbingopet me ujë, duke krijuar lagështi të tepërt të cilën gruri nuk e pranon. Kanalet kulluese duhen mbajtur hapur vazhdimisht dhe jo pasi të jetë shkaktuar dëmi. Nga ana tjetër, fermeri Allamani shton se kostoja e shërbimeve nuk mbulohet nga prodhimi i marrë. Për këtë thotë, Haliti, kostot dhe çmimet e farërave e plehrave kimike janë shumë të larta. Preng Gjinaj punon me mjetin e tij autokambanj. Ai thotë se sipërfaqja e mbjellë me grurë ka rënë në mënyrë drastike dhe kjo sipas tij për shkak të largimit masiv të banorëve por edhe çmimeve të larta. Prej vitesh fermerët po ankohen për kostot e larta të të gjitha proceseve bujqësore, të cilat kanë bërë që pjesa më e madhe e tokës të mbetet djerr.