Rrethi i Matit nuk ka asnjë rast të dushuar të të prekurve nga Koronavirusi, ndonëse në vendin tonë janë zyrtarizuar dy raste, babë e bir. Drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, thanë për Mat Televizion se deri këtë të hënë nuk ka patur asnjë rast të dyshuar të prekjes nga Kovid19.
Megjithatë, masat janë marrë në çdo qendër shëndetësore të Bashkive Mat e Klos ku personeli ka marrë të gjitha udhëzimet e nevojshme për raste që mund të dyshohen të prekur nga ky virus.
Po ashtu, edhe në spitalin Bashkiak Mat ka masa shtesë për këtë situatë ku shërbimi spitalor ka të gjitha mjetet e nevojshme për të trajtuar rastet e dyshuara si dhe për t’u mbrojtur vetë, nëse do të paraqitet ndonjë qytetarë me Kovid19.
Në zbatim të urdhërit të dalë nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, të gjitha institucionet arsimore në Bashkitë Mat e Klos nga Kopshti deri në klasën e 12 do të qëndrojnë të mbyllura deri me datë 23 Mars. Po ashtu, e njëjta gjë do të vlejë edhe për çerdhet. Ndërkohë, të gjitha institucionet kërkojnë zbatimin e rregullave të mbrojtjes nga virusi Kovid19.