“Panorama Sport” ka mësuar nga burime të sigurta në klubin dibran se është arritur marrëveshja me mbrojtësin e majtë, Taulant Sefgjini. 35-vjeçari është një emër i njohur i futbollit shqiptar, pasi për shumë vite ka qenë pjesë e Superiores me Laçin dhe Teutën.
Lojtari i krahut të majtë, që aktivizohet edhe si qendërmbrojtës, së fundmi ishte te Burreli, ndërsa është aktivizuar edhe me Kastriotin në Kategorinë e Parë.
Gazeta zbulon se Sefgjini nuk është i vetmi futbollist që Korabi ka arritur marrëveshje. Drejtuesit dibranë kanë afruar edhe dy lojtarë nga klubi i Vorës.
Bëhet fjalë për mesfushorin 30-vjeçar Vilson Mziu, si dhe sulmuesin 19-vjeçar Segerso Geci. Të dy lojtarët shkëlqyen me Vorën në kampionatin e fundit, prandaj dhe drejtuesit dibranë nxituan për t’i afruar te Korabi.
Nga skuadra e sezonit të kaluar, Mërgjyshi duhet t’i bëjë llogaritë pa pesë lojtarë të rëndësishëm, mes tyre Xhuljano Skukën, Kristjan Prendin, Ergys Gjongecajn dhe Patrik Trenin.
Ndërkohë, nga klubi dibran konfirmohet për gazetën se kanë rinovuar kontratën titullarë si Sokol Mziu, Xhynejt Çutra, Taulant Marku, Ronald Disha, Ylber Muça dhe Invis Topalli.
Gjithashtu, për sezonin e ri llogariten edhe emra si Jurgen Mehidri, Avernold Qyrani, Nikolin Duka, Xhevahir Paplekaj, Kristi Joti, Armend Murrja, Drilon Murrja, Alban Marku, Renato Vezi, Bajram Elezaj dhe Ymer Shaba.