Kombëtarja shqiptare nuk ka mundur të lërë gjurmë në ndeshjen eliminatore për Botërorin Katar 2022 ndaj Anglisë të zhvilluar në “Air Albania”.
Kombëtarja e “Tre Luanëve” arriti të triumfojë 0-2, me gola të shënuar nga Harry Kane dhe Mason Mount.
Skuadra e drejtuar nga italiani Reja e nisi ndeshjen mjaft mirë, kur në minutën e 13 Uzuni kishte të gjitha mundësitë për të kaluar kuqezinjtë në avantazh. Pas një kundërsulmi të shpejtë, sulmuesi shqiptar u gjend i vetëm në hyrje të zonës së Anglisë, por goditi keq dhe topi përfundoi mbi traversë.
Më tej, Shqipëria u mbrojt mirë, me Gjimshitin që po fitonte të gjitha duelet me Kane. Por sulmuesi i Tottenham përfitoi në minutën e 39 kur markohej nga Veseli. Ai i vodhi kohën mbrojtësin tonë dhe arriti ta dërgojë topin në rrjetë, duke kaluar Anglinë në avantazh.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën histori. Anglia vijonte me topin nën kontroll duke tentuar me raste sporadike në drejtim të portës së Berishës. Në minutën e 63, Mount shënoi golin e dytë për “Tre Luanët”, pas një gabimi në pasim nga Gjimshiti.
Në minutat në vijim, Shqipëria tentoi të reagonte, por e pafuqishme për të gjetur të paktën një gol në këtë ndeshje të dytë eliminatore, pas fitores 0-1 ndaj Andorrës.
Më 31 mars, pas 3 ditësh, Shqipëria do të ndeshet në transfertë me San Marinon.
SHQIPËRIA (3-5-2): Berisha; Ismajli, Gjimshiti, Veseli; Hysaj, Laçi, Bare, Uzuni, Memolla; Cikalleshi, Broja. Trajner: Edy Reja.
ANGLIA (4-3-3): Pope; Shaw, Maguire, Stones, Walker; Phillips, Rice, Foden; Mount, Kane, Sterling. Trajner: Gareth Southgate.