Fshati Kodër e Danit në Njësinë Administrative Fushë – Bulqizë vijon të përballet me mungesën e ujit në këto ditë të nxehta Korriku. Banorët ankohen se problemi i tyre nuk po merr zgjidhje edhe pse e kanë adresuar në pushtetin vendor në Bulqizës. Banorët thonë se skanë as ujë vaditës e as ujë të pijshëm, ku për këtë të fundit detyrohen të shkojnë në burime natyrale shumë larg fshatit për të siguruar ujë. Ata i kërkojnë Bashkisë Bulqizë dhe Ujësjellësit që të marrin masa dhe tju sigurojnë ujin vaditës e atë pijshëm. Për shkak edhe të pozicionit gjeografik që ndodhet fshati Kodra e Danit, nevoja për ujë gjatë verës është shumë e madhe. Ndërkohë që banorët ankohen se jo vetëm të mbjellat po ju thahen, por edhe pemët.
Janë mbi 80 familje që kanë dhjetra dynym tokë bujqësore pa ujë vaditës si dhe pa ujë të pijshëm. Ata kërkojnë që situata të zgjidhet shpejt e të mos gënjehen si vitet e kaluara.