E mbetur në hije pas hapjes së rrugës së Arbrit që kalon nga fshati Fshat në fshatin Plan i Bardhë e pastaj në Qafën e Buallit, segmenti i mëparshëm i rrugës nacionale Klos – Bulqizë nëpërmjet fshatit Kloskatund, ka mbetur jashtë vëmendjes.
Vazhdimisht kjo rrugë ka qenë problem sa i përket depozitimit të mbeturinave të ndryshme nga njerëz të papërgjegjshëm, por situata është rënduar kohët e fundit për shkak se ka më pak lëvizje dhe ata që hedhin mbeturina vështirë të pikasen nga kalimtarët.
Veç mbeturinave të konsumit të përditshëm, të gomave të automjeteve ambalazheve të subjekteve tregtare që operojnë në Bulqizë, kohët e fundit po hidhen edhe mbetje inerte të dala nga punimet që kryhen në vende të ndryshme.
Jashtë kameras, banorët e Kloskatundit vijojnë t’i qëndrojnë bindjes së tyre se mbeturinat hidhen nga subjekte tregtare të Bulqizës të cilët zgjedhin pikërisht këtë rrugë për të kaluar, në mënyrë që të shkarkojnë mbetjet.
Ata i bëjnë apel institucioneve vendore e atyre të mjedisit të monitorojnë aksin dhe të ndëshkojnë këdo që shkarkon mbeturina nga Klosi deri në Qafën e Buallit.