Bashkia e Klosit ka mundësuar vendosjen e tabelave informuese dhe krijimin i disa shtigjeve hiking në territorin e saj, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit.
Të gjithë turistët, vendas apo të huaj, tashmë do të mund të gjejnë lehtësisht destinacionet turistike në Klos, falë identifikimit të tyre në tabelat informuese që gjenden në rrugën nacionale e jo vetëm. E ndërsa për të apasionuarit pas ecjeve është bërë i mundur krijimi i shtigjeve hiking përmes shenjave orientuese, duke ua bërë më të lehtë ecjen.
“Realizimi i tyre u mundësua në kuadër të projektit ndërkufitar midis Bashkisë Klos dhe Bashkisë Demir Hisar të Maqedonisë së Veriut, me bashkëfinancim të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Klos.
Bashkia Klos është një nga zonat me të bukura turistike në qarkun Dibër. Ajo shtrihet në dy anët e lumit Mat dhe është e pasur jo vetëm me pasuri të mëdha natyrore por dhe trashëgimi kulturore.
Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, bukuritë natyrore të jashtëzakonshme ofrohen për turistët.