Është zhvilluar këtë të shtunë java e fundit e kampionatit të kategorisë së dytë në futboll në vendin tonë. Klosi u përball me Bulqizën në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Klosjanët kanë siguruar qëndrimin në këtë kategori, ndërsa Bulqiza siguroi play off për një kategori më lart.
Megjithatë ndeshja ka prodhuar emocion pasi rivaliteti nuk ishte vetëm për tabelë, por edhe si një derbi pasi të dyja skuadrat janë nga Qarku Dibër.
Bulqizakët e gjetën rrjetën e portës klosjane në minutën e 34 të pjesës së parë, duke e mbyllur këtë pjesë në avantazh. Djemtë e drejtuar nga tekniku Lulzim Kola mundohen të barazojnë shifrat, por në minutën e nëntë të pjesës së dytë Bulqiza dyfishon rezultatin me Balliun.
Në minutën e 63 ka një moment tensioni mes kapitenit të Bulqizës, Pepa dhe lojtarit të Klosit, Gjoka. Debati verbal mes tyre nuk është pritur mirë nga gjyqtari kryesor i takimit Rebani Geni i cili i ka ndëshkuar me karton të kuq të dy, duke i nxjerrë nga loja.
Në minutën e 88 bulqizakët trefishojnë rezultatin me Merdinin, e tashmë nuk ka kohë për përmbysje nga klosjanët.
E gjithë ndeshja u mbyll Klosi 0 e Bulqiza 3. Klosi e mbyll këtë kampionat në vendin e 10 me 17 pikë, ndërsa Bulqiza në vendin e 5 me 42 pikë.