Ndryshe nga java e kaluar të dielën Klosi iu gëzua fitores përballë shkodranëve të Vllaznisë B. klosjanët fituan me rezultatin e pastër dy me 0 falë dopietës së Pengilit. Ndonëse ishte një ndeshje nga e cila asnjëra skuadër nuk kishte objektiv për shkak se të dyja janë larg vendit të parë dhe atij të fundit, loja prodhoi emocione. Miqtë rrezikuan të parët me Shpuzën, por gardiani i portës klosjane Lleshaj, ndaloi topin në dy momente të rrezikshme në mintat 18 e 22. Vendasit tentuan me Pengilin dhe Takun, ku ky i fundit humbet një rast të pastër në minutën e 20. Megjithatë e kompenson Pengili 5 minuta më vonë i cili arrin të shmangë disa mbrojtës shkodran dhe të shënojë, duke mos i dhënë mundësi reagimi portierit Hasani. Pjesa e parë nuk dha më shumë rezultat megjithë rastet e të dy ekipeve, ata shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1 me 0. Në pjesën e dytë miqtë tentojnë por nuk kanë sukses. Futja në lojë e Markut në vend të Trojës, një nga dy rezervat e shkodranëve në këtë ndeshje, nuk ndryshoi asgjë. Megjithëse ishin në avantazh, trajeri i Klosit Dali Farruku iu dha mundësinë tre lojtarëve duke future në lojë Kokën, Allamanin dhe Gjonin. Gjithsesi rezultatin final do ta vuloste po Pengili i cili në minutën e 84 shënon golin e dytë. Minutat e mbetura nuk ndryshuan asgjë, ndërsa në fund trajnerët Farruku e Xhahysa shtrënguan duart. Fitorja e të dielës nuk i jep më shumë se statistikë Klosit i cili vijon të mbetet në vendin e 8 me 23 pikë të grumbulluara deri tani, 11 pikë më pak se Vllaznia B e vendit të shtatë dhe tre pikë më shumë se Tirana B e vendit të 9-të.