Ekipi i Klosit i cili aderon në kategorinë e dytë në kampionatin e futbollit luajti këtë të enjte ndeshjen e tij të parë për sezonin 2020 – 2021. Klosjanët u përballën në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit me ekipin e Adës së Velipojës. Ndryshe nga fillimet e tij në këtë kategori, ekipi i Klosit e ka nisur ters pasi pësoi humbje në shtëpi nga Ada. Ndeshja nisi me entuziazëm nga vendasit por tentativat e Farrukut në drejtim të portës mike ishin pa rezultat. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje u mbyll me porta të paprekura, ndërsa miqtë do të gjenin golin e avantazhit 5 minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Është Frroku i cili godet sakt dhe tund rrjetën e portës së Gjinit. Vendasit tentojnë të kundërpërgjigjen por e kanë të pamundur depërtimin në zonën mike. Trajneri Marjan Lleshaj vendos të zëvenëdsojë lojtarët, duke aktivizuar Cevanin dhe Allamanin në minutën e 65’, por as kjo lëvizje nuk ka efekt. Miqtë dinë të mbrohen mirë dhe të sulmojnë në befasi. Është sërisht Frroku i cili shënon golin e dytë të tij dhe të fundit për këtë takim në minutën e 78’. Shkodranët mbrojnë rezultatin deri në vërshëllimën e mbylljes së lojës nga gjyqtari kryesorë Çopa. Në këtë takim nuk munguan as ndëshkimet me karton të verdhë ku u akorduan plot tetë të tillë, 6 për Klosin e dy për Adën e Velipojës.