Banorët e lagjes së Çupajve në fshatin Fshat të Bashkisë së Klosit ankohen për dëmtimin e rrugës së tyre që i lidh me rrugën kryesore të fshatit. Rruga e tyre ka pësuar shembje si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dy muaj më parë, por deri tani nuk ka marrë zgjidhje. Për shkak të këtij dëmtimi, rruga në fjalë është e pakalueshme nga automjetet për 15 familje të kësaj lagjeje. Banorët vetë shprehen se kanë kërkuar disa herë ndërhyrje nga ana e pushtetit vendor por deri tani nuk është bërë asgjë. Të gjendur në këto kushte ata e ngritën shqetësimin e tyre edhe mediatikisht, me shpresën se do të ndërhyhet më në fund. Rruga e lagjes së Çupajve nuk ka pësuar shembje masive, por ngushtimi i saj pengon kalimin e mjeteve, ndërsa ndërhyrja mund të bëhet vetëm nga autoritetet.