Megjithëse ndërtimi i pjesës së papërfunduar të rrugës së Arbrit është pothuajse në fazat e fillimisht, ajo ka dhënë efektet e para në zhvillim. Duke patur sigurinë e ndërtimit të kësaj rruge në Klos kanë nisur ndërtimet e reja.
Biznesmen të ndryshëm kanë shfaqur interesin e ndërtimit të pallateve shumëkatëshe në mënyrë që banorët të kenë mundësi të blejnë banesa të reja. Kjo për shkak se me ndërtimin e rrugës së arbrit, Klosi është rreth 35 kilometra me Tiranën.
Por Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa e lidh këtë zhvillim edhe me miratimin e planit të përgjithshëm vendor i cili i ka hapur rrugë investimeve të cilat më parë nuk mund të bëheshin për shkak të mungesës së këtij plani.
Nga ana tjetër Çupa tha se tashmë edhe bashkisë i janë hapur rrugë për ndërtime të reja për nevojat e saj. Sipas tij, pas miratimit të planit po mendohet edhe ngritja e një pallati kulture, muzeu si dhe një stadium, të cilat më parë nuk mund të ndërtoheshin për shkak të mungesës së planit rregullues.