Nuk është rasti i parë që fermerët e prodhimit të rrushit ankohen për mungesën e shitjes këtë vit. Seit Marsela nga fshati Cerujë i Bashkisë së Klosit ka afro 3 ton rrush të cilin ende nuk e ka vjelur nga hardhitë. Shkak për këtë sipas tij është bërë mungesa e tregut të shitjes. Marsela tregon se ndryshe nga vitet e kaluara ku prodhimin e shiste ende pa u pjekur, në këtë vit shitja e tij ka qenë zero. Seit Marsela ka kultivuar në tre dynym vreshtë rrush të dy varieteteve të sheshit të zi dhe tajkës, por për asnjërin prej tyre nuk po gjen treg. Edhe pse ai e ka ofruar këtë rrush me 30 lekë të rinj për kilogram, thotë se deri tani nuk është interesuar njeri ta blejë. Rrushi “Shesh i zi” përdoret kryesisht për verë, por nuk ka patur asnjë interesim nga tregtarët.

 Nga ana tjetër, fermeri Seit Marsela shprehet se mungojnë pikat e grumbullimit me shumicë, apo ambjentet frigoriferike, ndërsa ka frikën se rrushi do të kalbet në degë.

Prodhimi i bollshëm i këtij viti ka krijuar një situatë të tillë në sektorin e vreshtarisë, kryesisht tek ata fermer që nuk e kanë patur tregun e sigurtë.