Banorët e fshatrave Cerujë dhe Patin në Bashkinë e Klosit më në fund do të kenë rrugë të asflatuar për të lëvizur drejt banesave të tyre nga rruga nacionale Klos – Burrel.
Bashkia Klos ka tenderuar projektin për “Sistemim asfaltim rruga Pleshë – Cerujë dhe Sistemim asfaltim rruga Cerujë – Patin”. Sipas të dhënave të siguruara nga Mat Televizion tenderi është mabjtur në muajin Mars, ndërsa pas afateve të nevojshme ligjore është shpallur edhe firma fituese.
Fondi për sistemim asfaltimin e këtyre dy rrugëve shkon në shumën e afro 125 milionë lekëve të rinj pa tvsh apo 150 milion lekë të rinj me tvsh. Ky investim do të paguhet me buxhetin afatmesëm i shtrirë në tri vite.
Me përfundimin e procedurave firma fituese pritet të nisë nga puna për zbatimin në terren të projektit në fjalë, ndërsa sipas të dhënave zyrtare në APP punimet duhet të mbyllen në një afatë prej 6 muajsh.
Asfaltimi i këtyre dy rrugëve pritet të zgjidhë një gangrenë infrastrukturore të krijuar prej vitesh për qindra banorë të Patinit dhe Cerujës.