Rruga e fshatrave Xibër – Hane dhe Ketë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit është pothuajse e pakalueshme për shkak të dëmtimit të madh të saj. Mungesa e investimeve në këtë rrugë apo mirëmbajtja e tyre ka bërë që mes rrugës të happen kanale e gropa të mëdha. Kjo rrugë përdoret edhe për tu lidhur me Tiranën nëpërmjet njësisë Administrative Zall-Bastar, por prej muajsh ajo është lënë në mëshirë të fatit.

Por jo vetëm kaq, të njëjtin fat kanë patur edhe rrugët e brendshme të këtyre dy fshatrave siç është ajo që lidh lagjet ndërmjet tyre. Drejtuesit e mjeteve dhe banorë të zonës thonë se edhe pse ende nuk ka ardhur dimri, përdorin zinxhir në disa segmente pasi kalimi normal është i pamundur. Ata fajësojnë Bashkinë Klos e cila prej muajsh i ka lënë në harresë mijëra banorë të këtyre dy fshatrave.

Me nisjen e shirave të vjeshtës dhe stinës së dimrit, këto rrugë mund të bëhen totalisht të pakalueshme për çdolloj mjeti, nëse në to nuk ndërhyhet shpejt.