Problemet në trasenë e re apo atë ekzistuese në rrugën që lidh Klosin me rrugën e Arbrit nuk janë vetëm gropat e shfaqura në të, por edhe rreziku i shembjes së saj.
Në afërsi të qendrës së fshatit ka nisur shembja e trasesë së rrugës. Kjo nuk është hera e parë që në këtë zonë ka problem, pasi në Janar të vitit të kaluar, ujërat e shiut të cilat mblidheshin në këtë rrugë përfunduan në banesën e familjes Ymeri e cila ndodhet vetëm pak metra më poshtë.
Mungesa e ndërtimit të një muri mbrojtës ka bërë që situata të përsëritet edhe pse rruga lart tashmë është e asfaltuar. Jashtë kameras banorë të zonës thonë se në ditët me shi kanali kullues anësor i rrugës nuk e përballon gjithë sasinë e ujit që mblidhet e për pasojë ai kalon në anën e poshtme, duke krijuar edhe këtë çarje.
Sipas specialistëve, nëse nuk do të ndërhyhet për të ndërtuar një murë mbrojtës në anën e poshtme, atëherë gradualisht rrezikohet të shembet e gjithë traseja e aksit që aktualisht përdoret nga të gjithë banorët e Qarkut Dibër, por jo vetëm, për tu aksesuar me rrugën e Arbrit, në drejtim të Tiranës apo anasjelltas.
Zgjerimi i bërë nga ana e firmës që po ndërton rrugën e Arbrit ka sjellë këto pasojë në këtë aks rrugor tashmë tejet të rëndësishëm.