Edhe pse është i rrethuar nga burime të shumta ujore, fshati Dars në Bashkinë e Klosit nuk ka një rrjet të furnizimit me ujë të pijshëm. Një pjesë e banorëve të këtij fshati e kanë zgjidhur privatisht këtë problem duke e marrë ujin e pijshëm deri në 5 kilometra larg banesave të tyre. Faik Gjeta është një prej banorëve të Darsit i cili ka investuar privatisht për të siguruar ujin e pijshëm. Ai thotë se është dashur të shtrijë deri në 5 kilometra tub për të marrë ujë në një burim në fshatin Xibër. Ai shprehet se jo çdokush e ka patur mundësinë e një investimi të tillë, dhe pjesa më e madhe e fshatit pijnë ujë nga burime e puse të pakontrolluara. Faiku shprehet se sa herë ka patur fushata zgjedhore në këto 30 vite, atyre ju është premtuar ndërtimi i ujësjellësit, por askush nuk e ka bërë të mundur deri tani.

Banorët shpresojnë që një ditë edhe fshati i tyre ashtu si shumë fshatra të tjerë të ketë rrjetin e tij të ujit të pijshëm.