Kjo është çadra në të cilën jetonin pjestarët e familjes Hoxha nga fshati Bejn i Bashkisë së Klosit. Temperaturat e larta të ditëve të fundit e kanë bërë të pamundur qëndrimin në të, duke detyruar çiftin e bashkëshortëve Mersim e Kimete Hoxha të rikthehen në banesën e dëmtuar nga tërmeti. I nxehti është bërë i papërballueshëm në çadër, ndaj ato kanë vendosur që të rrezikojnë duke qëndruar në shtëpinë e plasaritur e gati në shembje, të bërë nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Mersimi tregon se është në pritje të dëmshpërblimit nga qeveria, të cilin duket që do ta presë gjatë, pasi askush nuk i ka komunikuar asgjë deri tani se kur mund t’i marrë paratë apo t’i ndërtohet një banesë e re. Edhe bashkëshortja e Mersimit, Kimetja thotë se është e pamundur të jetosh në çadër në këtë të nxehtë të madh. vetë Kimetja është edhe e sëmurë e nuk mund të përballojë të nxehtin, ndaj shprehet se më mirë rrezikon në banesë, sesa të vdesë nga i nxehti. Situata e krijuar nga Covid – 19 i ka lënë nën harresë familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar.