Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, qeveria vendosi që në muajin Mars përfituesit e ndihmës ekonomike të merrni dyfishin e parave që i takonin me ligj. Por me zgjatjen e situatës dhe qëndrimin në shtëpi, përfituesit e kësaj ndihme thonë se është e pamjaftueshme shumë në kushtet e karantinës pasi nuk mund të bëjnë asnjë aktivitet tjetër. Banorë të fshatit Shulbatërr në Bashkinë Klos, kërkojnë që ndihma të rritet akoma edhe më shumë pasi situata e karantinimit në banesë po zgjat. Ata shprehen se me aq lekë, jo vetëm se nuk mund të ushqehen, por nuk paguajnë dot as detyrimet ndaj OSHEE-së. Ndonëse banorët që jetojnë në fshatra lejohet të dalin në tokat e tyre bujqësore, ata thonë se nuk mund të mbjellin asgjë për shkak të çmimeve të farave apo shërbimeve të tjera që duan kulturat e ndryshme bujqësore.