Rrugët nacionale vijojnë të përballen me ndotjen nga mbeturina që hidhen kudo pa kriter. Në një situatë të tillë është edhe aksi rrugor Klos – Bulqizë. Pjesa më e ndotur është ajo në vendin e quajtur Qafdushk.
Shumë udhëtarë ndalohen në hijet e pishave të cilat gjenden në të dy anët e rrugës. Pasi konsumojnë ushqimet e tyre që i kanë patur me vete, ata i hedhin mbeturinat aty, duke shkaktuar një ndotje të madhe të mjedisit.
Mbeturinat në këtë zonë janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga plastika, metalet, kartona etj. jashtë kameras, banorë të zonës thonë se aty ndalohen shpesh mjete të transportit të udhëtarëve ndërqytetas të cilët konsumojnë ushqim e mbeturinat, ndonëse duhet t’i marrin me vete, i hedhin aty.
Po ashtu, ndalesa bëjnë edhe mjetet familjare të cilët edhe ato i hedhin mbeturinat në natyrë, pikërisht pasi kalojnë disa kohë aty duke ngrënë ushqim apo duke shijuar pijet që kanë me vete.
Ndotja e rrugëve nacionale është një problem me të cilin po përballen i gjithë vendi ynë. Megjithë nismat ndërgjegjësuese të marra nga autoritetet, vetë qytetarët vijojnë të mos e duan mjedisin të cilin e ndotin me mbetje të dëmshme jo vetëm për natyrën, por edhe shëndetin e njeriut.