Dhjetra banorë të fshatit Suç në Bashkinë e Klosit protestuan këtë të mërkurë pranë shkollës së mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” e mbyllur pas tërmetit të 26 Nëntorit të vitit 2019. Godina në fjalë është cilësuar si e rrezikshme për tu përdorur nga nxënësit nga një inspektim i bërë në Qershor të vitit 2020. Por që nga rënia e tërmetit me 26 Nëntor të 2019 deri në Mars të 2020, kohë kur shkollat u mbyllën për shkak të Covid-19, nxënësit mësuan në këtë objekt. Vitin shkollor 2020 – 2021 nxënësit e përfunduan në ambjente të tjera. Prindërit e banorët shprehen se 250 fëmijët e tyre nuk kanë pse sorollaten, pasi objekti nuk përbën rrezik shembjeje.

Banorët i bëjnë apel Ministrisë së Arsimit të ridërgojë ekspert për një ekspertizë të dytë të gjendjes së objektit. Ata kanë paralajmëruar zhvillimin e protestave të tjera pranë shkollës, bllokimin e rrugës nacionale si dhe mosdërgimin e fëmijëve në shkollë në muajin Shtator nëse ky objekt nuk hapet.

Godina e shkollës së mesme të bashkuar në Suç ka një plasaritje në anën lindore dhe sipas banorëve kjo ka qenë arsyeja që është mbyllur.