Ndonëse jemi në pikun e të nxehtit dhe nevojës së madhe për vaditje, fshati Kurqelaj me rreth 500 banorë në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit po përballet me thatësirën. Banorët e këtij fshati shprehen se është viti i parë që uji vaditës nuk ka shkuar ende në këtë fshat edhe pse sot është data 26 Qershor. Sipas banorëve, të mbjellat e tyre rrezikojnë të thahen nga mungesa e ujit vaditës, kryesisht të perimeve, por edhe vreshtat e rrushit që në këtë zonë gjenden me shumicë. Ata i bëjnë apel pushtetit vendor që të ndërhyjë sa më parë dhe ta zgjidhë këtë problem madhor e jetik për ta, në mënyrë që rreth 200 HA tokë bujqësore të mbjella mos të ju thahen.

Të kontaktuar nga ana jonë, drejtues të Bashkisë Klos, thanë se shkak për mosshkuarjen në kohë të ujit vaditës në këtë fshat, është bërë dëmtimi i tij si dhe mungesa e koordinimit të vetë banorëve për ta pastruar. Fshati Kurqelaj furnizohet me ujë vaditës nga mali i Balgjajt nëpërmjet një kanali prej 7 kilometrash.