Fshati Bel është një ndër të paktët fshatra në ish bashkinë e vjetër të Klosit që është pa një rrjet furnizimi me ujë të pijshëm. Banorët e këtij fshati vijojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm pasi e vetmja zgjidhje për ta ka mbetur një burim natyral në qendër të fshatit. Ata shprehen se megjithëse gjatë këtyre 29 viteve demokraci ju është premtuar vazhdimisht ndërtimi i një ujësjellësi nga të gjitha forcat politike, ende asnjë prej tyre nuk e ka mbajtur.
Për shkak të mungesës së ujit në banesa, në këtë fshat edhe rrobat lahen ende me dorë. Nga ana tjetër, banorët e Belit thonë se i gjithë uji që mund të furnizonte fshatin me ujë të pijshëm po futet në tubacione për hidrocentrale dhe nuk ndërtohet ujësjellës.
Banorët kërkojnë që Bashkia Klos apo pushteti qendror të bëjë një zgjidhje edhe për ta për të ndërtuar një ujësjellës në mënyrë që kjo situatë të mos vazhdojë më tej.