Ky është aneksi i shkollës së arsimit fillor në fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit. Në këtë godinë anekse të shkollës 9-vjeçare të Bejnit, mësojnë rreth 20 nxënës nga kopshti deri në klasën e pestë.
Por kjo godinë arsimore ka dy problematika të mëdha me të cilat përballen nxënësit që e frekuentojnë atë gjatë gjithë vitit shkollor.
Problemi më i madh për të vegjëlit që mësojnë aty është kjo godinë e rrënuar ngjitur me shkollën. Në orët e pushimit nxënësit luajnë në të, duke iu rrezikuar seriozisht jeta nga shmenbjet që mund të pësojnë muret e shkatërruara.
Problemi tjetër është rrethimi i shkollës i cili është i dëmtuar prej kohësh. Për shkak se shkolla ndodhet ngjitur me rrugën nacionale Klos – Bulqizë, nxënësit mund të rrezikohen nga mjetet që lëvizin aty, nëse nuk janë të kujdesshëm.
Të dy këto probleme Mat Tv i ka trajtuar disa herë, por ende Bashkia e Klosit nuk i ka zgjidhur. Drejtues të saj thanë se për rrethimin do të merren menjëherë masa, ndërsa sa i përket godinës së rrezikshme, do të duhet miratimi i pronarit për ta shembur.