Në kuadër të muajit Tetor, i përcaktuar si muaji Rozë, kundër kancerit të gjirit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Mat në bashkëpunim me Bashkinë e Klosit zhvilluan një aktivitet sensibilizues. Aktiviteti u mbajt në qendër të qytetit të Klosit ku morën pjesë qytetarë e drejtues të institucioneve të ndryshme vendore e qëndrore. Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë Klos Valbona Kola tha se jo vetëm si drejtuese, por edhe si mjeke, këshillon të gjitha gratë dhe nënat që të bëjnë kontroll periodik të gjirit, pasi vetëm në këtë mënyrë sëmundja kapet në kohë dhe arrihet të kurohet.

Mesazhe kundër sëmundjes së kancerit të gjirit dhanë edhe Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, Altin Bojni, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër, Alma Selami, Drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala,  Sekretarja e Prefekturës Dibër, Donika Hysenaj, Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Klos, Nexhmije Dedolli dhe gazetarja Aida Topalli, etj.

Aktivitete të tilla ndërgjegjësuese janë zhvilluar gjatë gjithë muajit Tetor në tërë rrethin e Matit, ku autoritetet kanë dhënë mesazhe sensibilizimi për mbrojtjen e nënave, vajzave dhe grave nga kanceri i gjirit.