Prej afro dy vitesh familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 në Klos janë ende pa banesa. Në këto dy vjet familjet kanë qëndruar në çadra duke sfiduar kështu të nxehtin e verës dhe të ftohtin e dimrit. Një prej këtyre familjeve është edhe Mersim Hoxha nga fshati Bejn i Bashkisë së Klosit. Kryefamiljari tregon se jeta në këto dy vite ka qenë shumë e vështirë pasi të qëndrosh në çadër në temperatura minus apo në të nxehtë 40 gradë, ka qenë një sfidë më vete. Mersimi thotë se këtë dimër nuk dihet se si do ta kalojë pasi çadra është prishur e gjitha.

  Qëndrimi në banesën e dëmtuar nga tërmeti është i rrezikshëm. Kryefamiljari Mersim hoxha thotë se rifutja në banesë ju rrezikon jetën, por nëse nuk do të ketë përgjigje nga shteti, mbase do të jetë zgjidhja e vetme që do të ketë familja e tij për të kaluar stinën e dimrit.

Tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 dëmtoi me dhjetra familje në të gjithë Qarkun Dibër, të cilat edhe sot janë pa një banesë të sigurtë ku të fusin kokën.