Ky është Mariglen Taka, 20 vjeçari nga fshati Shulbatërr i Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit. Marigleni vuan nga një sëmundje e rrallë e cila i ka shkaktuar humbjen pothuajse të plotë të shikimit dhe mungesë të përqendrimit fizik. Nëna e Mariglenit, Hajria, thotë se sëmundjen e djalit e konstatuan pasi ai bëri tri muaj pas lindjes, ndërsa në 20 vite janë munduar t’i gjejnë shërim. Ata e kanë dërguar në Turqi e Gjermani, ku iu kanë thënë se duhet t’i nënshtrohet një operacioni pasi të rritet. Hajria në tregon se djali i saj mund të operohet në Rusi e për këtë i duhet ndihmë. Ndonëse familja Taka është me të ardhura të pakta ekonomike, nënë Hajria thotë se është e gatshme të shesë gjithçka, vetëm djali t’i shërohet. Apeli i familjes Taka shkon për institucionet shtetërore, shoqatat bamirëse apo të gjithë ata që kanë mundësi, ta ndihmojnë për ta dërguar djalin e saj në Rusi që t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.