Një dëmtim në vendin e quajtur “Kthesa e Cerujës” në afërsi të Klosit rrezikonte shembjen e një gjatësie të konsiderueshme të kanalit vaditës. Nëse ky segment do të shembej, atëherë fermerët mund të rrezikonin të mbeteshin pa vaditje gjatë këtij sezoni veror. Por për të mos ndodhur kjo, kanë ndërhyrë vetë dy bashkitë pasi Drejtoria e Ujitjes Durrës e kishte të pamundur investimin në një kohë të shpejtë. Prej ditësh po punohet për ndërtimin e një muri i cili do të ndalojë shembjen e kanalit vaditës të Klosit që mund të lërë pa vaditje qindra hektarë me të mbjella. Drejtues të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në sektorin e Matit thanë se në kanal është futur gjysma e sasisë që zë kjo vepër, për të mos rrezikuar shembjen e tij. Ata u shprehën se sapo të përfundojë ndërtimi i murit, e gjithë sasia e ujit që zë ky kanal do të jetë në shërbim të fermerëve të luginës së Matit.